Dita 3, aktivitetet e Shahut gjatë Javës Evropiane të Sportit

Në vazhdën e aktiviteteve të “Javës Evropiane të Sportit”, që po mbahet për herë të dytë nëpër qytete të ndryshme Kosovës, dita e tretë e Javës ka vazhduar me aktivitete të Shahut. Aktivitete janë organizuar në qytetin e Pejës, Rahovecit, Prizrenit, Ferizajt dhe Prishtinës. Lojërat në shah u hapën zyrtarisht në Pejë, ndërsa u përmbyllën në Rahovec. Gara në lojën e shahut u mbajtën në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në Pejë. Me këtë rast, pas hapjes së këtij aktiviteti ne këtë qytet, kryetari i Federatës së Shahut te Kosovës, Nysret Avdiu, tha se ky sport jep mundësi për të qenë vendimmarrës në shumë aspekte jetësore.

Ndërsa, kryetari i klubit të shahut në Pejë, Xhevdet Kurbobaj, si nikoqir i kësaj ngjarje në këtë qytet dha një mesazh për qytetarët e këtij regjioni: Fituesit e vendeve të para nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës si dhe nxënësve të shkollave fillore nga regjioni i Pejës, thanë se ndihen të motivuar për të vazhduar me këtë sport. Krejt në fund të këtij aktiviteti, u zhvillua edhe gara në mes të klubit te shahut nga Peja dhe atij te Deçanit, ku fitues i aktivitetit të sotëm të “Javës Evropiane të Sportit” doli klubi mysafir nga Deçani.

Rahoveci ishte një nga pesë qytetet e Kosovës nikoqir i projektit BE Active në kuadër të Javës evropiane të sportit, e organizuar nga MKRS dhe Komisioni Evropian.

Pjesëmarrësin dhe organizatorët janë të kënaqur me këtë organizim duke e vlerësuar si një ngjarje të mirë që ka ndodhur sot në këtë qytet. Në kuadër të këtij aktiviteti, u zhvillua një lojë shahu që quhet simultanë, pra dy mjeshtër shahu Bekim Ermeni, kandidat për mjeshtër kombëtar i shahut dhe Sabahudin Kollari, mjeshtër kombëtar i shahtu, luajtën me 43 garues në të njëjtën kohë.

U zhvillua edhe një lojë miqësore midis shahisteve të Rahovecit dhe të Gjakovës, nga 7 deri ne 14 vjet.

Për aktivitetin e organizuar shprehën opinionin e tyre prof. Hilmi Demiri, veteran i shahut, Arigona Sharku nga klubi i shahut “Rahoveci” dhe Breta Haraqia nga klubi i shahut “Vllaznimi” nga Gjakova.

Të dalluarit u stolisën me diploma dhe medalje.

Në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, aktivitetet të shahut janë mbajtur edhe në Prizren.

Valmor Bardhi i cili ishte ndër organizatorët e aktivitetin në fjalë u shpreh se pjesëmarrësit, shumica anëtarë të Klubit të Shahut “Prizreni” por edhe kolegë të tyre nga klubi i Zhupës si dhe qytetarë shahistë të lirë, i janë bashkuar kësaj ngjarjeje me qëllim të promovimit të sportit, por edhe të socailizimit, bashkimit dhe respektit për njëri-tjetrin.

Për këtë aktivitet u shprehën edhe Zekë Tejeci, Kryetar i Klubit të Shahut “Prizreni”, Ehat Oreshka, Drejtor për Kulturë, Rini e Sport në Prizren dhe Dashuri Memçaj, pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

Njëri nga veteranët e shahut në Prizren, Enver Gjurgjehallo, bën thirrje për më shumë kujdes e investim në këtë sport.

Për fituesit u ndanë kupa, medalje dhe mirënjohje. Gara e shahut në Prizren u përmbyll me thirrjen për më shumë përfshirje në aktivitete sportive e shoqërimi.

Aktivitetet e ditës së tretë të Javës Evropiane të Sportit vazhduan në sheshin e qytetit të Ferizajt ku u mbajt turneu i shahut. Në këtë turne pjesëmarrës ishin shahistë nga Ferizaj dhe Kaçaniku, po ashtu morën pjesë edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të këtij qyteti.

Organizatorët e këtij turneu, treguan rreth organizimit të këtij aktiviteti, i cili sot u mbajt në 5 qytete të Kosovës.

Feim Qorolli, anëtar i Kryesisë së Federatës së Shahut u shpreh për organizimin duke e vlerësuar si një promovim dhe mundësi për të interesuarit që të njihen më shumë me lojën e shahut si dhe të merren më shumë me këtë sport. Pjesëmarrësit në këtë turne, vlerësuan se aktivitete të tilla duhet të organizohen më shpesh në Ferizaj.

Për aktivitetin në Ferizaj u shprehën Besim Uruçi organizator i aktivitetit, Idriz Hyseni, shahist, Endrit Uruçi – nënkampion i Kosovës në shah, Murat Ahmeti, shahist dhe Aliot Tahiri, pjesëmarrës. Në këtë turne, kupën e fitoi Klubi i Shahut të Ferizajt në garën që zhvilloi me Klubin e Shahut nga qyteti i Kaçanikut. Për të gjithë pjesëmarrësit në këtë turne shahu, u ndanë medalje dhe mirënjohje.

Sporti i shahut ishte aktiviteti kryesor i ditës së tretë të Javës Evropianë të Sportit që po mbahet në Kosovë. Në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqendrës sonë, Prishtinë, lojën e shahut e nisën të vegjlit e kopshtit “LET Center”, të cilët ishin mëse të entuziazmuar me këtë ngjarje, emocion që më së miri e përshkroi psikologu i këtij kopshti, Lorik Zhitia.

Në pjesën e dytë të ngjarjes, shahu mori karakter garues. Ishin shahistët e klubit “Prishtina” dhe ata të klubit “Hyzri Talla” nga Podujeva që garuan mese vete, në disa raunde të lojërave mes veti.

Fitues i garës së sotme doli të jetë klubi i shahut “Prishtina”, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u shprehën se gara për këtë kupë e ka një rëndësi të veçantë, meqë ngjarja e sotme ka për synim promovimin e sportit.

Burhan Misini sekretar i Federatës së Shahut të Kosovës, tha se në vendin tonë ky sport çdo ditë e më shumë po merr hov. Kurse Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se duke marrë parasysh që është vetëm viti i dytë i organizmit të kësaj fushate në Kosovë, rezultatet në aktivizimin e shoqërisë që të merret me sport janë të dukshme.

Për aktivitetin e mbajtur në Prishtinë pati interesim të qytetarëve për ta përcjellë lojën e shahut dhe pjesëmarrja ishte mjaft e madhe. Për këtë ngjarje u prononcuan Bedri Sadiku, shahist i klubit “Prishtina”, Burhan Misini, Federata e Shahut të Kosovës, Mustafë Dodaj, qytetar.

Java Evropiane e Sportit në Kosovë ka qëllim senzibilizimin e qytetarëve për t’u marrë me sport, ndërsa deri në mbyllje janë të parapara të organizohen edhe shumë aktivitete të tjera sportive.
#ewoskosovo #beactive #beactive5