
Me garat nacionale në Futsall të sportit shkollor për femra dhe meshkuj të cilat u mbajtën sot në disa qytete të Kosovës, përfunduan aktivitetet e Javës Evropiane të Sportit”, të organizuara nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës Kujtim Gashi.
Me këtë rast në palestrën sportive “Mizahir Isma” në Rahovec, u mbajtën garat në mes të shkollave të mesme të regjioneve të Kosovës, në kategorinë e meshkujve.
Zyrtari i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fikret Shatri, tha se sporti shkollor dita ditës po arrin rezultate të jashtëzakonshme.
Në këto gara fitues doli Gjimnazi “Eqrem Çabej” nga Vushtrria. Trajneri i ekipit fitues Hysen Ademi, tha se falë bashkëpunimit të mirëfilltë të lojtarëve arritën të marrin kupën.
E lojtarët e ekipit fitues, Milot e Leuart Avdyli, thanë se kjo fitore është motiv për ta, duke dhënë edhe porosi për rininë kosovare.
Këtë vit “Java Evropiane e Sportit” në Kosovë u mbajt për të dytën herë.
Në ditën e fundit të Javës Evropiane të Sportit, në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, u mbajtën garat sportive në futsall, kategoria e femrave, nga shkollat e mesme të larta nga 6 regjione të Kosovës.
Në hapjen e këtij aktiviteti i pranishëm ishte edhe Daut Thaçi, Këshilltar i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, i cili foli për aktivitetin e sotëm, mbarëvajtjen dhe përmbylljen e Javës Evropiane të Sportit.
Ndërsa, Adrian Telaku, Kryetar i Federatës së Sportit Shkollor, e vlerësoi të rëndësishëm një organizim të tille.
Për të dalë sa më mirë ky organizim, i angazhuar ishte edhe komisari i garave për ndeshjet e sotme në Prizren, Bedri Çejku.
Gjatë kësaj dite u zhvilluan gjithsej 6 ndeshje dhe në fund fitues doli shkolla e mesme e lartë “Skënderbeu” nga Kaçaniku pasi mposhti shkollën “Fehmi Agani”, nga Klina me rezultat 2:0.
Vashat kaçanikase pas këtij triumfi fituan të drejtën që të jenë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të shkollave të mesme që do të mbahet në Francë.
Të kënaqur me pjesëmarrjen në këto gara ishin edhe dy kapitenet e skuadrave finaliste, ajo e Shkollës së Mesme të Lartë “Skënderbeu” nga Kaçaniku, Liridona Lekaj dhe Ylberina Berisha e Shkollës “Fehmi Agani” nga Klina.
Në fund, tri vendet e para për rezultatet e treguara u shpërblyen më mirënjohje, medalje e trofe.
Gara në futsall u mbajtën edhe midis nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, në sallën “Gani Dreshaj” në Istog. Kryetari i sportit shkollor të Komunës së Istogut Labinot Metaj, tha se është i kënaqur me interesimin e nxënësve për sport.
Ndërsa, Nora Hoxhaj, profesoreshë e edukatës fizike në Vushtrri, tha se shpreson që kjo javë të nxjerrë talent të ri të sportit në Kosovë.
Në këtë garë, fitues dolën nxënësit e shkollës fillore “II” nga Vushtrria, vendi i dytë i takoi nxënësve të shkollës “Fehmi Agani” nga Gjakova, ndërsa i treti shkollës fillore “Pandeli Sotiri” nga Obiliqi.
Garuesit u shprehen te motivuar të vazhdojnë me këtë sport edhe në të ardhmen. Pjesëmarrësit Drilon Përquku, Altin Ukiqi, Kron Krasniqi dhe Jetnon Kabashi dhanë përshtypjet e tyre për aktivitetin në fjalë të cilat mund t’i ndiqni në video.
Finalistët u shpërblyen me medalje, ndërsa pjesëmarrësit me mirënjohje.
Pas shumë lojërave të ndryshme sportive që u zhvilluan për 7 ditë në kuadër të “Javës Evropiane të Sportit”, dita e sotme ishte e rezervuar për futsall.
Në palestrën e sporteve “Jeton Tërstena-Tota”, në Vushtrri, ishin nxënëset e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit të Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Prizrenit ato të cilat garuan mes vete në këtë sport.
Organizatori i kësaj gare Ramadan Parduzi, njëherësh përfaqësues i Shoqatës së Pedagogëve të Edukatës Fizike, u shpreh se kjo garë në mes femrave tregon se motoja “Beactive” tashmë është përmbushur, pasi kanë arritur të aktivizojnë grupe të ndryshme të shoqërisë për t’u marrë me sport.
Kurse, arsimtarët e edukatës fizike, Minire Berisha e Ibrahim Shatrolli, kërkuan që të këtë më shumë investime në infrastrukturën sportive.
Pas disa orë lojë mes vete dhe në një garë të fortë, ishin vajzat e Prishtinës ato të cilat dolën fituese, duke mposhtur vajzat e Gjilanit me rezultat 3-2. Pasi përfunduan lojën, ato thanë se i gëzon fakti që edhe femrave po u jepet mundësia që të luajnë futsall.
Pjesëmarrëset Elsa Llollaku dhe Bardha Xhonbalaj u shprehen të lumtura për këtë aktivitet.
E referi i kësaj gareje, Labinot Fejza, u shpreh se nxënëset u treguan mjaft profesioniste në këtë sport, duke thënë se ndeshje të tillë nuk kishte referuar më parë.
“Java Evropiane e Sportit”, që kishte moton “beactive, apo një thirrje për veprim për t’i vënë evropianët në lëvizje dhe për të promovuar sportin dhe aktivitetin fizik nëpër Evropë, është organizuar për herë të dytë në Kosovë, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.