#BeActive e bënë Kosovën pjesë të “Javës Evropiane të Sportit”

Me programin e të qenit aktiv apo #BeActive, Kosova është bërë pjesë e Javës Evropiane të Sportit e cila organizohet në mbarë kontinentin njëkohësisht nga 23-30 Shtator.

“Programi BeActive në Kosovë promovon mënyrën e jetesës së shëndetshme dhe sportive për të gjithë pavarësisht nga mosha, gjinia apo niveli i përgatitjes fizike duke nxitë individë, autoritetet publike, lëvizjen sportive, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat që të bashkëpunojnë me fushën e sportit “ shpjegoi Ibër Alaj, Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës dhe njëherësh Koordinator Nacional i programit “Be Active” për Kosovë gjatë Konferencës së Javës Evropiane të Sportit të mbajtur të premten paradite në Hotelin Sirius në Prishtinë.

Në prani të Kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqit, Kryetares së Komitet Paralimpik të Kosovës, Njomza Eminit, Kryetarëve e Sekretarëve të Federatave sportive të Kosovës dhe punëtorëve sportiv, Ibër Alaj foli për historikun e këtij programi dhe shpalosi detajet lidhur me organizimin e Javës Evropiane të Sportit e cila synon promovimin e aktivitetit fizikë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në sport.

“Për shtatë vite, Java Evropiane e Sportit, ka ndihmuar në trajtimin e krizës së pasivitetit duke inkurajuar evropianët të përqafojnë sa më lehtë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe aktive në vazhdimësi. Nga viti 2015, Java Evropiane e Sportit u krijua si përgjigje përball fenomenit të të krizës së pasivitetit e që ishte në rritje e sipër” tha Koordinatori Nacional i BeActive për Kosovë, Ibër Alaj.

Ai shtoi se prioritet i këtij programi është që përmes inkurajimit të aktivitetit fizik dhe marrjes me sportit të përmirësohen aftësitë fizike dhe mendore të qytetarëve të Kosovës dhe luftimi i mbipeshës dhe pasiviteit që janë faktorë dhe shkaktarë të shumë sëmundjeve sot në mbarë botën, rrjedhimisht edhe në Kosovë.

Në këtë Konference u potencua edhe fakti se përmes pjesëmarrjes në aktivitete të rregullta fizike dhe sportive “nxitet ndjenja e përfshirjes sociale dhe integrimit përmes sportit, veçanërisht për grupet e margjinalizuara” duke ndikuar në eliminimin e racizmit dhe ksenofobisë, si dhe për të krijuar barazi gjinore.

“Përmes sportit promovojmë pjesëmarrje më të madhe në programe të edukimit fizik në shkolla për të luftuar dhe parandaluar dopingun, për të siguruar që sportistët e rinj marrin një arsim cilësor akademik dhe profesional krahas stërvitjes së tyre sportive, duke reduktuar braktisjen e arsimit” tha Alaj duke shtuar se aktivitet e tilla fizike dhe organizimet sportive nxjerrin edhe përfitime ekonomike nga sektori i sportit, veçanërisht në kohë të vështira ekonomike dhe mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve evropianë, rrjedhimisht tek kosovarët.

“BeActive” si pjesë e programit të iniciuar nga Bashkimi Evropian ka gjetur mbështetje nga mbi 40 organizata ndërkombëtare të sportit që promovojnë stilin e jetesës së shëndetshme për të gjitha gjeneratat nëpërmjet sportit

“Java Evropiane e Sportit në Kosovë përmes programit #BeActive synon që kosovarët t’i motivoj të merren me sport jo vetëm gjatë kësaj jave por gjatë tërë vitit!” e përmbylli prezantimin Ibër Alaj, Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës dhe njëherësh Koordinator Nacional i programit BeActive për Kosovë për t’u njoftuar më shumë me programin dhe rëndësinë e marrjes me aktivitet fizik dhe sport vizitoni https://www.ewoskosovo.net/