
Në kuadër të aktiviteteve të “Javës Evropiane e Sportit” që po mbahet këto ditë në Kosovë, në Pallatin e Rinise dhe Sporteve të Prishtinës janë mbajtur gara në ping- pong.
Duke folur per rendesine e kesaj ngjarje sportive, kryetari i Federatës së Ping Pongut të Kosovës, Nehat Çitaku e cilësoi si të rëndësishme pjesëmarrjen e ping-pongistëve në këtë ngjarje meqë sipas tij, sporti na bën të ndihemi evropianë.
“Kosova përmes sportit tregon që fizikisht është në Evropë pavarësisht që ende nuk jemi pjese e saj mirëpo me aktivitete të këtilla shprehim edhe njëherë dhe e dëshmojmë se edhe ne jemi përndarësisht pjese e Evropës ku do te jemi pjese e saj edhe zyrtarisht”.
Kastriot Orana, përgjegjës për marrëdhënie me jashtë i Federatës së Ping Pongut te Kosovës tha se kjo Federate ka marrëdhënie të mira me simotrat e veta nëpër botës.
“Federata e Ping Pongut është federata e parë e pranuar ndërkombëtarisht qysh nga viti 2003 kështu që nga pranimi i federatës sonë në arenën ndërkombëtare FPPK ka qene aktivisht pjesëmarrëse nëpër garat evropiane dhe botërore kështu që ne kemi marrëdhënie me ITTF dhe ETTU e cila është unioni evropian i ping pongut po ashtu qëndrojmë shumë mirë edhe me MTTU e cila është unioni mesdhetar dhe unioni ballkanik ku ne unionin mesdhetar e kemi edhe kryetarin e federatës sonë z. Nehat Qitaku ku është nenkryetar i unionit mesdhetar”.
Lojtarë nga klubet e pingpongut, qytetarë e përfaqësues nga Shoqata e Shurdhmemeceve të Kosovës u shprehën të kënaqur me këtë aktivitet sportiv, pasi që sipas tyre, sporti jep energji pozitive.
Samire Jupolli, përfaqësuese e Shoqatës së Shurdhmemecëve të Kosovës u shpreh se java është një mundësi e mirë që qytetarët të merren me sport.
“Jam e kënaqur me pjesëmarrjen dhe ftesën që më bënë klubi për çdo lloj aktiviteti përfshirë edhe aktivitetin e #beActive, për çka jemi sot këtu”
Ndërkaq, Gresa Statovci, qytetare, shprehet se është “shumë e rëndësishme edhe per krejt qytetaret e Kosovës që të merren sa ma shumë me sport sa ma shumë me aktivitete, shoh një frymë të re që është duke ardhur në shoqërinë tonë për t’u marr sa ma shumë me sport edhe po mendoj që sa ma shumë mundësi me pas që për me qenë të përfshirë në çfarëdo lloj aktivitete sportive, jo vetëm për shëndetin po edhe për mirëqenien dhe për një energji pozitive në shoqerine tone”.
Në fund të garës, Federata e Pingpongut të Kosovës ndau nga një mirënjohje për pjesëmarrësit më aktivë në këtë aktivitet të përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.