
Në kuadër të Aktiviteteve të Javës Evropiane të Sportit, sot janë mbajtur gara në disiplina të ndryshme të notit.
Nikoqir i kësaj ngjarje të sotme ishte pishina OMNI Sport Center në Mitrovicë. Garat u zhvilluan në disa bateri, ku notuesit të ndarë sipas moshës luftuan për vendin e parë në stilin delfin, shpinë, krol, miks dhe në stilin bretkosë.
Për aspektin sportiv dhe shëndetësor të notit, foli Astrit Haliti, Sekretar i Federatës së notit të Kosovës, duke u shprehur se janë të kënaqur me organizimin.
Të arriturat në not dhe në sportet tjera, përveç shëndetit të mirë na japin mundësinë që të jemi të suksesshëm edhe në sferat tjera të jetës, thanë sportistët e vitit 2018, Dren Ukimeraj dhe Fjorda Shabani.
Ndërkaq, prindërit e fëmijëve pjesëmarrës, porositën prindërit e tjerë që t’i angazhojnë fëmijët e tyre nëpër aktivitete sportive me theks të veçantë në sportin e notit.
Përkitazi për këto porosi u shprehën prindërit Shyhrete Asllani dhe Adhurim Halili.
Sikurse edhe në disa prej aktiviteteve tjera garuese të “Javës Evropiane të Sportit”, fituesit e sotëm të garave në not u nderuan me medalje .