
Edhe sporti i karatesë ka qenë sot në programin e “Javës Evropiane të Sportit”, që po organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komisioni Evropian.
Klube nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë në garën “Kupa e Kastriotit”, që u mbajt në Bardhosh, në bashkëpunim edhe me Federatën e Karatesë së Kosovës.
Ismet Krasniqi, Kryetar i Federatës së Karatesë të Kosovës dhe Ambasadorja e “Javës Evropiane të Sportit”, Kaltrina Zeka tregojnë anët pozitive të sportit dhe marrjes me karate.
Garuesit treguan shkathtësitë e tyre në këtë sport, duke ofruar luftëra dinamike por fer. Mesazhi i tyre ishte për më shumë aktivitete fizike. Këto mesazhe i dhanë Sara Guga nga Lushnja e Shqipërisë, Milaim Nexhipi nga Ferizaj dhe Zana Xheladini nga Struga e Maqedonisë së Veriut.
Për fituesit e garës, si zakonisht, u ndanë kupa, medalje dhe mirënjohje. Ata u përgëzuan për nivelin që treguan.